zoom

Lajme

Berisha: SPAK nuk prek asnjë aferë që shkon te narkodiktatori

Berisha: SPAK nuk prek asnjë aferë që shkon te narkodiktatori

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk heton aferat korruptive në të cilat është i përfshirë kryeministri Edi Rama.

Gjatë një aktiviteti për fuqinë e grave në politikë, Berisha tha se SPAK ka hetuar dhe goditur vetëm liderët e tre partive kryesore opozitare, ndërsa Rama ruhet i paprekshëm.

“Shqipëria ka një prokurori, e cila lavdërohet në mënyrë të paimagjinueshme gjerësisht.

Por kjo prokurori speciale është një prokurori, e cila nuk prek asnjë aferë që shkon tek narkodiktatori.

Ndërkohë që arreston, burgos, pa prova, vetëm si persona nën hetim liderët e tre partive kryesore opozitare, merr mandate deputetësh, merr mandate të zgjedhurish vendorë nga opozita.

Sot kemi deputetë në burg, kemi të tjerë drejtues në arrest shtëpie.

Në rast se në vitet 1990-1992, siç e theksoi e nderuara Doris Pack, në Europë kishte një interes real për liritë dhe të drejtat themelore, organizoheshin konferenca, flitej në mënyrë të vazhdueshme, sot nuk flitet shumë për liritë dhe të drejtat themelore të një kombi që vuan një narkodiktaturë.

Sot, rastet konkrete mbyllen me një formulë bizare, nuk komentojmë për raste konkrete.

Pra, i theksova këto momente, sepse këto janë gjëra tashmë të njohura.

Por këto zonja të shihni këtu janë luftëtare të pamposhtura kundër këtij regjimi dhe kanë një meritë të jashtëzakonshme.

Në momentet më të vështira këto nuk kanë ngurruar që të dalin ballë për ballë.

E theksova për të shprehur mirënjohjen ndaj jush sepse nuk ka qenë kjo situatë në presidencën tuaj dhe fakti që zgjodhët Shqipërinë për të organizuar këtë ngjarje, është një mbështetje shumë e madhe për ne.

Unë do doja të thoja disa fjalë të tjera, por u kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse sot në Shqipëri kurorëzohet udhëheqësi i Kishës Ortodokse dhe kjo është një ngjarje e madhe për kombin, pasi paraardhësi i tij shkoi në amshim.

Dhe më duhet të jem i pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të kryepeshkopit, ndaj dhe u kërkoj ndjesë dhe dua të largohem”, tha Sali Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura