zoom

Lajme

Berisha: Rama derdhi sot lot për Lindën

Berisha: Rama derdhi sot lot për Lindën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Kruja, sulmoi qeverinë e Edi Ramës duke e akuzuar se prej tre muajsh po pengon procesin e drejtësisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Balluku sot është e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, por sipas Berishës, Rama nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të pezulluar apo hequr imunitetin e saj.

Berisha e cilësoi këtë veprim si një “marrje peng të shoqërisë shqiptare”, duke theksuar se kryeministri po tregon indiferencë ndaj parimeve të drejtësisë: “Ka tre muaj që janë kapur në flagrancë me vjedhje prej 1 miliard eurosh dhe përsëri thotë se nuk mund të pezullohet, nuk mund t’i hiqet imuniteti. Sot derdhi lot për Lindën e AKSHI-t, që mban peng biznesmenët. Keni dëgjuar ndonjëherë për ndërmarrje shtetërore që pengojnë biznesin privat?”, u shpreh Berisha.

Ai krahasoi rastin aktual me praktikat e mëparshme, duke kujtuar se në vitin 2011, edhe kur deputetë të tjerë kërkonin imunitet, nuk kishte pasur bllokime, dhe çdo ministër apo zv/ministër e dorëzonte vetë dokumentacionin. Sipas Berishës, Rama po krijon një precedent të rrezikshëm, ku mbrojtja e individëve të pandehur përdoret për të manipuluar institucionet dhe për të ruajtur interesat personale dhe të afërmve të tij.

Berisha gjithashtu i bëri thirrje publikisht opozitës dhe qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të kërkojnë llogaridhënie: “Nuk ka moment më kritik për vendin se ky. Është koha që drejtësia të mos përdoret si instrument politik dhe çdo individ të trajtohet njësoj para ligjit.”/ Zoom.al

Postime të lidhura