Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët.
Berisha zbuloi se “Foltorja” e PD-së nuk do të organizohet më vetëm përpara kryeministrisë në kryeqytet. Protesta sipas tij do të mbahet në të gjithë Shqipërinë.
“Këtë javë nisim foltoret jashtë Tirane, do të vijojnë në të gjithë vendin”, u shpreh Berisha.
Berisha i ktheu përgjigje edhe një ndjekësi që e pyeti se pse nuk jep dorëheqje nga drejtimi i partisë për t’ia lënë drejtimin të rinjve.
Berisha tha se fati i drejtuesve dhe anëtarëve të PD-së caktohet vetëm nëpërmjet votës. Ai theksoi se nuk mund të japë dorëheqje pasi zgjedhjet që u zhvilluan më 11 maj ishin farsë. Megjithatë ftoi ndjekësin që të përdorë votën e tij, ose të marrë pjesë në garat që do të zhvillojë partia.
“PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë, por në kushtet e farsës elektorale dhe narkoshtetit, në kushtet kur zgjedhjet janë farsë një akt i tillë do i shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin. Një akt i tillë nuk mund të ndodhë përveç votës së demokratëve shqiptarë. Të ftoj të përdorësh votën tënde sipas vullnetit që ke ose të marrësh pjesë në të gjithë garat e kësaj partie. Në kushtet e diktaturave autoritare largimi nga misioni dhe qëndrimi në opozitë është një mision, largimi nga misioni, bëhet vetëm nëpërmjet votës”, tha Berisha./ZOOM.AL