Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj hetimeve të nisura nga Policia e Shtetit për një fushatë të dyshuar në rrjetet sociale me komente negative ndaj bizneseve, ku sipas autoriteteve janë vënë nën verifikim mijëra profile.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se ky proces është urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, të cilin e akuzoi se po përpiqet të kontrollojë aktivitetin online të qytetarëve për shkak të protestave që, sipas tij, kanë vijuar prej më shumë se një muaji.
Sipas kreut të opozitës, e drejta për të shprehur mendime dhe opinione në rrjetet sociale është një liri themelore dhe nuk duhet të cenohet nga institucionet shtetërore.
Berisha u shpreh se nën argumentin e identifikimit të autorëve të komenteve negative, synohet vendosja e një mbikëqyrjeje të gjerë mbi aktivitetin digjital të qytetarëve. Ai pretendoi se kjo nismë mund të shërbejë për kufizimin e lirisë së shprehjes në platformat online.
Në vijim të deklaratës së tij, lideri demokrat krahasoi situatën me praktika që, sipas tij, përdoren në regjime autoritare, duke përmendur edhe vendimin e mëparshëm për bllokimin e TikTok-ut. Berisha tha se ekziston rreziku që, përmes një “policimi” dixhital, të bllokohen llogari në rrjetet sociale apo edhe vetë platformat online.
“I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve.
Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve.
Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi”, tha Berisha.
Deklaratat e Berishës vijnë pasi Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po heton një fushatë të organizuar në internet që dyshohet se synon publikimin masiv të komenteve negative ndaj bizneseve./ Zoom.al