Aplikacion
Nga qyteti bregdetar i Vlorës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe veçanërisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ai e akuzoi këtë të fundit se ka përfituar miliona euro përmes projektit të tunelit të Llogarasë.
“Me tunelin e Llogarasë i mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria. Pamja më madhështore e detit është zhdukur për të marrë 50-60 milionë euro me Lubi Ballukun,” deklaroi Berisha para mbështetësve të tij.
Sipas tij, jo vetëm që tuneli ka dëmtuar natyrën dhe vizionin turistik, por edhe rruga e re që po ndërtohet ka për qëllim të falimentojë bizneset në Parkun e Llogarasë:
“Ndërton rrugën për të falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë. I garantoj ata se kjo padrejtësi do të korrigjohet kur ne të vijmë në pushtet.”
Duke vazhduar me premtimet për ekonominë, lideri demokrat tha se tatimi për biznesin e vogël nuk do të jetë më shumë se 1% e xhiros, ndërsa tatim-fitimi për bizneset e mëdha do të zbresë nga 23% në 10%, dhe TVSH-ja në 15%. Ai gjithashtu premtoi subvencione për fermerët në të gjithë vendin.