Aplikacion
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas publikimit të lajmit se kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, por që lajmi është mbajtur i fshehur.
Sipas Bardhit, ky është një informacion që duhej të ishte ndarë menjëherë me publikun dhe mbajtja e tij e fshehtë për muaj të tërë kompromenton rëndë integritetin e SPAK.
“Marrja si i pandehur e kryetarit të Bashkisë Shkodër nga Prokuroria e Posaçme që në tetor 2024 është një informacion që duhet të ishte bërë publik. Fshehja e këtij informacioni, ndryshe nga mënyra si është vepruar me çdo çështje tjetër, e kompromenton rëndë integritetin e Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi Bardhi.
Kreu i Grupit të PD-së u shpreh se SPAK duhet të shkojë tek koka e aferës në sektorin e energjisë që sipas tij është Belinda Balluku.
Ai theksoi se nuk ka asnjë arsye ligjore që Benet Beci të trajtohet ndryshe nga çdo zyrtar tjetër publik që është marrë i pandehur dhe paralajmëroi se drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta.
“Nuk mund të ketë status të posaçëm për Benet Beci. Çdo zyrtar publik që merret i pandehur duhet t’i nënshtrohet të njëjtit trajtim dhe e njëjta transparencë duhet të garantohet edhe për publikun,” – vijoi Bardhi.