Aplikacion
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK që në mes të muajit prill, rreth tre javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Megjithatë, kjo masë nuk është bërë publike në atë kohë, duke u mbajtur i fshehtë nga organi i akuzës.
Sipas dosjes hetimore, Beci akuzohet në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Përveç Benet Becit, të pandehur në këtë çështje janë edhe: Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti.
Nga hetimet ka rezultuar se më 18 dhjetor 2019, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) sh.a. ka zhvilluar një procedurë prokurimi me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me një fond limit prej 69.5 milionë lekësh.
Prokuroria pretendon se gjatë kësaj procedure janë kryer shkelje që kanë cenuar konkurrencën e ndershme dhe ligjshmërinë e garës.
LETRA E PLOTË
VENDIM PËR ZGJATJEN E AFATIT TË HETIMEVE
Në Tiranë, më 23/04/2025, unë Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi studiova aktet e fashikullit të procedimit penal nr.196, të vitit 2024,
KONSTATOVA
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 14.10.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.196, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Me datë 23.10.2024 është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, emri i të pandehurve Benet Beci, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko, Premtim Dauti, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal (sipas ligjit favorizues nr.23/2012).
Nga aktet e administruara ka rezultuar se “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, me datë 18.12.2019, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor). me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e pesëqind mijë) lekë.
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëpërmjet shkresës me nr.19301 prot., datë 15.10.2024, i ka kërkuar Autoritetit Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, një kopje e praktikës së procedurës së prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.
2. Autoriteti Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, (në vijim KESH sh.a), me shkresën kthim-përgjigje me nr.5140/1 prot., datë 21.10.2024, ka përcjellë pranë Prokurorisë së e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kopjen e njësuar të praktikës së plotë të kësaj procedurë prokurimi.
