zoom

Bota

BE dhe Meksika kritikojnë tarifën prej 30% të propozuar nga Donald Trump

BE dhe Meksika kritikojnë tarifën prej 30% të propozuar nga Donald Trump

Bashkimi Evropian (BE) dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim ndaj kërcënimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa prej 30% mbi importet e tyre nga 1 gushti.

Meksika kritikoi atë që e quajti “marrëveshje e padrejtë” e Trump dhe këmbënguli se sovraniteti i saj ishte i panegociueshëm, ndërsa shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, kërcënoi të ndërmarrë “kundërmasa proporcionale” nëse është e nevojshme.

BE dhe Meksika thanë se donin të vazhdonin negociatat me SHBA-në. Trump ka paralajmëruar se do të vendosë taksa edhe më të larta mbi importet nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së vendos të hakmerret. Këtë javë Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja për mallrat nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili nga muaji i ardhshëm.

Në letrën e dërguar të premten Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Trump shkroi: “Kemi pasur vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat dhe barrierat tuaja tregtare tarifore dhe jo-tarifore. “Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, shtohej në letër. Në letrat e tij drejtuar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse ndonjë partner tregtar do të hakmerrej me detyrime importi kundër SHBA-së, ai do të kundërpërgjigjej duke rritur tarifat me një përqindje të ngjashme mbi 30%.

Postime të lidhura