zoom

Lajme

Bardhi nxjerr dokumentet: Djali i Begajt paguhet pa qenë fare në Shqipëri

Bardhi nxjerr dokumentet: Djali i Begajt paguhet pa qenë fare në Shqipëri

Pasi e akuzoi se veç postit si President i Republikës, Bajram Begaj rezulton i punësuar edhe në një klinikë private mjekësore, kreu i grupit parlamenter të PD, Gazment Bardhi publikoi disa dokumente që, sipas tij, tregojnë se djali i presidenti merr pagë pa qenë fare në Shqipëri.

Bardhi thotë se dokumentet tregojnë lidhje financiare mes familjarëve të Presidentit Bajram Begaj dhe një kompanie që bashkëpunon me institucionin e Presidencës.
Sipas deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, djali i Presidentit përfiton rreth 30 mijë euro në vit nga kompania e sigurimeve “ANSIG”, e cila ka kontrata aktive me Presidencën për shërbime prokurimi.

Bardhi tha se ky është një rast i qartë konflikti interesi dhe akuzoi Presidentin për përfitim të tërthortë nga fondet publike. Ai kërkoi nisjen e hetimeve parlamentare dhe shkarkimin e Kreut të Shtetit, duke theksuar se Kuvendi nuk duhet të injorojë këtë çështje.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!

Çfarë e pengoi “Doktorin e Mrekullive”, njëherazi Presidenti, të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!

Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.

Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit./ Zoom.al

Postime të lidhura