zoom

Aktualitet

Banderola e Mourinhos te Politekniku, fyerje për Tiranën

Banderola e Mourinhos te Politekniku, fyerje për Tiranën

Mbrëmjen e nesërme (të mërkurën), në orën 21:00, Feyenoord dhe Roma përballen në finalen e Conference League, një event që do të mbahet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Teksa kryeqytetin e kanë pushtuar tifozeritë e palëve kundërshtare dhe brohorimat po mbajnë të karikuar atmosferën emocionuese dhe rivalitetin e ndezur, një banderolë gjigante në sheshin “Nënë Tereza”, saktësisht mbi fasadën e Universitetit Politeknik të Tiranës shfaq trajnerin e Romës, José Mário dos Santos Mourinho.

“Mirë se vjen në Romën e vogël, mister Mourinho”, shkruhet në banderolën gjigande. Një pritje e veçantë për një trajner të veçantë, të njohur si “Special One”.

Por sado që i rezervohet një trajneri me famë, ajo është tërësisht e pavend.

Së pari, në një betejë sportive si kjo, Tirana është “fushë” neutrale. Por banderola për Mourinhon, e vendosur në një ndërtesë publike, e promovuar për më tepër nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj që e postoi atë në Instagramin e tij, e bën atë të njëanshme. Diçka kjo aspak e ndershme për imazhin tonë apo edhe për tifozët e Feynord, të cilët jo vetëm mund ta shohin si fyerje, por edhe si provokim. Dhe Feynordit nuk i mungojnë tifozët agresivë, të cilët shkaktojnë probleme në çdo vend ku udhëtojnë.

Së dyti, krahasimi Tiranë-Romë është qesharak.

Roma, e populluar nga më shumë se 2.900.000 banorë është një qytet me frymëmarrje, që ia del mbanë të sigurojë një jetesë me standarde, pavarësisht globalizimit apo flukseve të turistëve.

Thoni “Romë” dhe ju vijnë në mendje imazhet e Piazza Navona-s apo Fontana di Trevi-t. Një qytet ku mbizotëron respekti dhe fanatizmi për historinë, trashëgiminë dhe mjedisin.

Ndërsa Tirana është shndërruar prej kohësh në një qytet të vështirë për t’u banuar, me lagje të kryera në geto, me të pasur që e braktisin për të jetuar sa më në periferi të saj. Konsiderohet si një ndër qytetet më armiqësorë ndaj historisë; shembi teatrin kombëtar, një ndërtesë italiane, ka shkatërruar lagjet historike të saj për t’i zëvendësuar me mostra betoni. Hapësirat e gjelbra nëpër lagje janë gjithnjë e më të vogla.

“Gjeni të përbashkët” do të ishte një kërkesë tmerrësisht sfilitëse midis këtyre imazheve:


Tirana nuk i ndal ndërtimet, sipërfaqja e dhënë për leje rritet 60% - Gazeta Mapo

Një kryeqytet ende në krizë identiteti, që aspiron të jetë origjinal, por që po shndërrohet në një shëmti që nuk e duan as qytetarët e vet.

Ndaj banderola për Mourinhon dhe diçitura e saj ngjajnë me një lëpirje të shëmtuar, që synon të tërheqë vëmendje, por na tregon në të kundërt sa dallkaukë kemi mbetur./ Zoom.al