zoom

Aktualitet

Balla poston foto me pushues nga plazhi i ishullit të Sazanit, shpërthejnë kritikat: Po kur ta marrë Trumpi ku do shkojnë këta?

Balla poston foto me pushues nga plazhi i ishullit të Sazanit, shpërthejnë kritikat: Po kur ta marrë Trumpi ku do shkojnë këta?


Taulant Balla postoi në Facebook disa foto nga ishulli i Sazanit, që tregojnë pushues të shumtë në plazhiin me gurë të bardhë dhe ujin kristal pranë portit të ishullit. Fotot ngjajnë me një kartolinë për turizmin shqiptar. Por në vend të komplimentave, ndaj Ballës vërshuan kritikat e qesënditë.


Komentuesit i kujtuan Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin se pas një viti asnjë këmbë shqiptari s’do të mund të shkelë më në ishull e të lahet në plazhet e tij, pasi ai i është dhënë Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndërtuar një resort luksoz.


“Ku është e bukura se nuk po e kuptoj,” i shkruan një qytetar, ndërsa një tjetër e thumbon Ballën: “Po ti nuk i sheh mbeturinat që janë pak më para aty? Do jetë më bukur kur t’i jepni leje për të ndërtuar pallate, se nuk ju pëlqen një ishull pa ndërtime.”


Komentet e tjera janë edhe më të forta, deri në akuza për tradhti kombëtare. “Shitja e ishullit Sazan është tradhti kombëtare. Avni Rustemi duhet të vijë shpejt,” shkruan një qytetar i revoltuar. Të tjerë përdorin sarkazmën me emrin e Trumpit: “Oh sa bukur, po kur ta marrë Trampi ku do shkojnë këto?”, “Jepja a Trampit Sazanin”, “Ta shijojnë këtë vit, se vitin tjetër e shijon trampja.”


Ironia e komentuesve është e hidhur, sepse shqiptarët nuk i besojnë më qeverisë kur promovon një pasuri natyrore, nga frika se pas saj fshihet ndonjë marrëveshje për t’ia falur këto bukuri ndonjë investitori të lidhur me të.


Mesa duket Balla nuk ka komentues “patronazhistë” apo me pagesë siç ndodh me disa nga fgurat kryesor të qeverisë dhe Partisë Socialiste që u bëjnë elozhe postimeve të tyre dhe as njerëz të paguar që t’i fshijnë komentet negative.


Ishulli i Sazanit i është dhënë kompanisë “Affinity Partners” të Kushner për të ndërtuar një resort luksoz me vila dhe hotele të njohura si rrjeti Aman. Marrëveshja nuk është bërë asnjëherë publike, por media ndërkombëtare si New York Times kanë raportuar se Rama mund ta përdorë këtë koncesion për të rritur kredencialet e tij pranë presidentit Trump, të cilin dikur e kishte quajtur “rrezik” për botën dhe për marrëdhëniet Shqipëri – SHBA. /Zoom.al

Postime të lidhura