Aplikacion
Tri gjyqtare të Apelit mësohet se janë gjatë shpalljes së vendimit ndaj një grupi kriminal, që akuzohen për atentatin ndaj Ines Hajrulla në vitin 2019.
Bëhet fjalë për gjyqtaret e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dfhe Edlira Petri.
Ngjarja ka ndodhur në sallën e gjyqit, gjatë shpalljes së vendimit dhe menjëherë pas kësaj ato kanë bërë kallëzim se janë kërcënuar për shkak të detyrës dhe Prokuroria ka nisur hetimet për çështjen, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Kërcënimet ndaj togave të zeza ndodhën ditën kur dënuan 5 shtetasit: Daut Elmazin, Gentian Zoton, Igli Memajn, Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn.
Ata akuzohem për atentatin e vitit 2019-të në qytetin e Vlorës, ku u tentua të vritej një nga personazhet e botës së krimit, Ines Hajrulla.
Gjatë shpalljes së vendimit të pandehurit mungonin, por salla ishte e mbushur me familjarët e tyre.
Pasi kanë dhënë vendimin gjyqtarët janë tërhequr në dhomën e këshillimit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shoqëruar kërcënuesit që ndodheshin në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, pasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eliminimin e saj.
Reagimi i gjykatës
Qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij, dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cenojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut te drejtësia. Presionet apo kërcënimet e çfarëdolloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se, gjykatat dhe prokuroritë janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë dhe se çdo tentativë për cenim të integritetit fizik e moral të tyre, ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit në përgjithësi dhe atë individuale, të magjistratit në veçanti.
Me besimin se kolegët magjistratë do të vijojnë të kryejnë me vendosmëri dhe përgjegjshmëri detyrën e tyre sublime, njëkohësisht mbështesim organet ligj zbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme”.