Aplikacion
Ish-kreu i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut, Muamed Sejdini, është arrestuar nën dyshimet për përvetësim dhe keqpërdorim fondesh në vlerë rreth 700 mijë euro.
Sipas raportimeve nga vendi fqinj, fondet në fjalë ishin akorduar nga UEFA për ndërtimin e një tribune në një stadium në Ohër, por dyshohet se nuk janë përdorur për qëllimin e përcaktuar.
Arrestimi është kryer nga strukturat e Policisë, konkretisht Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit.
“Zyrtarë policorë e kanë privuar nga liria M.S., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Muamed Sejdini është një figurë e njohur në futbollin e vendit, pasi drejtoi federatën nga viti 2018 deri në vitin 2024. Hetimet për këtë çështje vijojnë./Zoom.al