zoom

Aktualitet

Arrestimi i Moisi Habilajt/ Policia: Do të ekstradohet drejt Italisë (Pamjet)

Arrestimi i Moisi Habilajt/ Policia: Do të ekstradohet drejt Italisë (Pamjet)

Policia e Vlorës e ka reaguar zyrtarisht për arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë Moisi Habilaj 48 vjeç, dje më 13 qershor, në një beach bar në Borsh, duke sqaruar se do të ekstradohet drejt Italisë. 

Gjatë operacionit, një tjetër person është arrestuar E.A., 46 vjeç, ndërsa është vënë nën hetim në gjendje të lirë S.F., 70 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Moisi Habilaj, i njohur ndryshe si kreu i grupit kriminal të Habilajve, ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2021 për trafik droge kur iu arratis drejtësisë italiane. Ai është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Habilaj është dënuar dhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, sot GJKKO, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Ai është shpallur fajtor për katër episode të trafikut të kanabisit për vitet 2014–2015. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tij u ul në 10 vite heqje lirie.

Hetimet për ‘kokën’ e grupit të Habilajve nisën pas publikimit të disa përgjimeve të drejtësisë italiane, e cila kishte hetuar grupin për vite me radhë. Ndërkohë, në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) dënoi edhe katër anëtarë të tjerë të grupit me 32 vite burg në total.

Postime të lidhura