Aplikacion
Arratisja e 38-vjeçarit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit të Durrësit nuk ka qenë një veprim i rastësishëm, por rezultat i një plani të ndërtuar me kujdes për disa muaj me radhë.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se i paraburgosuri, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i hetuar nga SPAK, kishte përgatitur çdo hap për të siguruar largimin e tij nga ruajtja policore.
Ndoci kishte inskenuar probleme serioze shëndetësore, duke pretenduar kriza të forta në veshka, sipas “Top Channel”. Kjo skemë bëri që ai të dërgohej disa herë për vizita mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit, në vend që të trajtohej në spitalin e burgjeve në Tiranë. Gjatë këtyre shoqërimeve, ai kishte studiuar ambientet dhe lëvizjet, duke identifikuar pikat që do t’i shërbenin arratisjes.
Momenti i largimit u realizua pas përfundimit të një vizite mjekësore, kur Ndoci kërkoi të shkonte në tualet. Në atë çast, ai ka shtyrë efektivin që e shoqëronte dhe ka dalë në parkingun e spitalit, ku e priste një automjet tip “Audi”, i ndihmuar nga persona të tjerë që e shoqëronin. Që prej asaj kohe, ai është në kërkim, ndërsa policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar itinerarin e lëvizjes. Gjurmët e fundit të tij janë fiksuar në zonën e Spitallës.
Pas ngjarjes, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur shkarkimin nga detyra të drejtorit të Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, si dhe të gjithë zinxhirit drejtues të institucionit. Paralelisht, janë arrestuar tetë persona, të dyshuar si përgjegjës për lejimin ose favorizimin e arratisjes.
Në pranga kanë rënë zëvendësshefi i Policisë së Burgut të Durrësit, shefja e sektorit të informacionit, pesë efektivë që kishin detyrën e shoqërimit të të paraburgosurit, si dhe kryeinfermieri i institucionit shëndetësor. Ky i fundit dyshohet se ka përgatitur dokumentacion mjekësor të rremë, duke justifikuar transferimet e shpeshta të Ndocit drejt spitalit.
Punonjësit e Policisë së Burgjeve akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë zbatuar protokollet e sigurisë, përfshirë mosvendosjen e prangave gjatë shoqërimit./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari