zoom

Aktualitet

Apeli rrëzon Metën dhe Kryemadhin, ngelen në fuqi masat ndaj tyre

Apeli i Gjykatës së Posaçme rrëzoi këtë të martë ankimimin e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi për masat e sigurisë që janë në fuqi ndaj tyre.

Gjatë seancës për ankimimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, Meta kërkoi lirinë duke deklaruar se nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe shpenzimet e Monika Kryemadhit.

Ai pranoi që t’i bllokohet pasaporta si masë sigurie, por kërkoi që të dalë nga arresti në burg.

Pavarësisht pretendimeve, Apeli vendosi të lërë në fuqi masat e Shkallës së Parë.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K.

Postime të lidhura