Aplikacion
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa vendimi ende nuk është ekzekutuar pasi ai ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë, që e dënon Kokën me 2 vite burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
Megjithatë, Apeli ndryshoi pjesën e vendimit që parashikonte shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke vendosur rikthimin e saj në fuqi.
Sipas përllogaritjeve, ish-ministrit i mbeten edhe rreth 6 muaj dënim për të vuajtur në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Mësohet se Lefter Koka ndodhet prej muajsh jashtë vendit, çka ka penguar deri tani ekzekutimin e vendimit nga autoritetet.