Aplikacion
Një operacion i gjerë i strukturave të Antikontrabandës ka çuar në sekuestrimin e mijëra pajisjeve elektronike, të cilat dyshohet se ishin futur në vend pa përmbushur detyrimet doganore.
Në mesin e mallrave të bllokuara përfshihen mbi 130 televizorë smart, kryesisht të markës Xiaomi, si edhe kompjuterë dhe printerë të destinuar për shitje në tregun vendas.

Sipas burimeve zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka bërë publik emrat e subjekteve tregtare të përfshira, për shkak se çështja ndodhet ende në fazë hetimi. Megjithatë, dyshimet kryesore lidhen me mundësinë që mallrat të kenë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet pagesave korruptive, duke shmangur tarifat e zhdoganimit.
Ky aktivitet informal, i cili sipas autoriteteve reklamohet hapur edhe në rrjetet sociale me çmime dukshëm më të ulëta se tregu, ka sjellë deformim të konkurrencës dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt bizneset e rregullta që operojnë në përputhje me ligjin dhe paguajnë taksat përkatëse.

Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Antikontrabandës, në bashkëpunim me degën doganore Tiranë dhe Drejtoria e Markave dhe Patentave, konfirmon se janë bllokuar mbi 3 130 pajisje elektronike të markave dhe llojeve të ndryshme. Bllokimi është kryer nën dyshimet për falsifikim dhe tregtim pa autorizimet ligjore përkatëse.
Autoritetet doganore bëjnë me dije se procedurat ligjore për verifikimin e origjinës së mallrave dhe përgjegjësive penale po vijojnë./ Zoom.al