Aplikacion
Një tjetër valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit europian, si pasojë e rikthimit të anticiklonit afrikan, fenomen që po sjell temperatura shumë të larta dhe mot të thatë në disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë.
Sipas meteorologëve, masat e nxehta të ajrit që vijnë nga Afrika e Veriut po zhvendosen drejt Europës, duke favorizuar rritjen e ndjeshme të temperaturave dhe mungesën e reshjeve. Fenomeni po ndikon jo vetëm në vendet e Mesdheut, por edhe në rajonin e Ballkanit, ku priten ditë me vapë intensive.
Mediat italiane raportojnë se anticikloni afrikan transporton ajër shumë të ngrohtë nga zona të Afrikës Veriore, si Maroku, drejt Europës Perëndimore dhe Qendrore. Fillimisht preken Spanja dhe Italia, ndërsa më pas masat e nxehta shtrihen drejt Francës, Belgjikës, Holandës, si edhe vendeve të Ballkanit.
Në Itali situata paraqitet e ndryshme nga një rajon në tjetrin. Veriu i vendit po përballet me temperatura shumë të larta, ndërsa zonat jugore vijojnë të regjistrojnë vlera më pranë mesatares sezonale. Ekspertët shpjegojnë se kjo lidhet me trajektoren e lëvizjes së masës së ajrit të nxehtë dhe zonat që ndodhen në qendër të ndikimit të saj.
Meteorologët theksojnë se edhe Shqipëria pritet të vijojë të ndikohet nga kjo masë ajrore, me temperatura të larta dhe mot kryesisht të kthjellët. Temperaturat gjatë ditës përgjatë kësaj jave pritet të arrijnë deri në 38 gradë./ Zoom.al