zoom

In Zoom

51 të ekzekutuar në 10 muaj! Pse po vrasin shqiptarët?

Shqipëria pas pandemisë pati rritje të kriminalitetit duke u shtuar ndjeshëm numri i vrasjeve, dhunës në familje dhe krimeve kompjuterike për 10-mujorshin e vitit 2021 në krahasim me vitin e kaluar. Sipas raporteve mujore të Ministrisë së Brendshme për periudhën Janar-Tetor 2021, Shqipëria pati shtim të numrit vrasjeve me dashje duke u rritur me 15,9% krahasuar me 10-mujorshin e vitit 2020.

Vrasjet vazhdojnë të rriten në vendin tonë ku vetëm për periudhën Janar-Tetor 2021 kemi patur 51 vrasje me dashje nga 44 që ndodhën vitin e kaluar.

Numri i viktimave shënoi rritje gjithashtu me 1,1% për 10-mujorshin e 2021.

Tabela e të dhënave të krimit për periudhën Janar-Tetor

Llojet e krimeveViti 2020Viti 2021Ndryshimi në %
Dhuna në familje128813635,8
Vrasje me dashje445115,9
Numri i viktimave54551,8
Plagosje e rëndë1251368,8
Armëmbajtje pa leje746102337,1
Prodhim dhe trafikimi

i narkotikëve

1190172444,8
Krimi kompjuterik175434148

Burimi: Ministria e Brendshme

Sipas raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën për Studimet Globale të Vrasjes, numri i lartë i vrasjeve lidhet me disa faktorë. Varfëria është një faktor rreziku që lidhet me krimin e dhunshëm dhe viktimizimin në nivel individual ku njerëzit mund të përdorin krimin e dhunshëm si një mjet mbijetese. Faktor tjetër është pronësia e pasigurt e tokës dhe qasja në tokë në kontekstin e një kuadri ligjor të papërshtatshëm që nuk zbaton të drejtat individuale të pronës ku mund të krijohen mosmarrëveshje dhe të prodhohet një nivel i lartë dhune. Shqipëria është një shembull konkret ku ligji i pronave ka shkaktuar konflikte të përgjakshme të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Përsa i përket dhunës në familje, gjatë 10-mujorshit të vitit 2021 janë regjistruar 1363 raste duke u rritur me 5,8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dhuna në familje ngelet shqetësuese jo vetëm për shoqërinë por edhe për qeverinë shqiptare pasi rritja e masës së dënimit për rastet e dhunës në familje, nuk ka ulur rastet brenda familjes shqiptare pasi problematika e shoqërisë lidhet me kombinimin e faktorëve ekonomik dhe social ku varfëria është shkaku kryesor ku evidentohet edhe në raportin e fundit të FMN-së për vitin 2020 ku thuhej:

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”.

Zhvillim tjetër shqetësues është rritja e krimit kompjuterik në vitet e fundit  ku për periudhën Janar-Tetor 2021 ka patur 434 raste, 1,4 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2020 duke pasqyruar cënueshmërinë e sistemeve tona kompjuterike dhe mungesën e profesionalizmit nga ana  e administratës shtetërore në menaxhimin e të dhënave sensitive ku kemi patur rrjedhje të informacionit. Rasti me listën e pagave, të dhënat e targave të makinës i pak ditëve më parë na treguan se shtimi i rasteve ishte dhe vazhdon të jetë një problem serioz që qeveria shqiptare nuk mund ta injorojë por duhet të veprojë përpara se vendi ta gjejë veten të kapur në befasi nga rrjedhja e informacionit dhe sulmeve kibernetike të cilat kanë ardhur duke u shtuar.

Armëmbajtjet pa leje patën shtim të rasteve duke u rritur me 37,1% më shumë se 10-mujorshi i vitit 2020.

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ka patur rritje galopante ku vetëm për 10-mujorin e parë të 2021 ka patur 1724, mesatarisht 5 raste në ditë.  Numri i rasteve u rrit me 44,8% krahasuar me të njëjtën periudhë.

Rritja e kriminalitetit nuk është  e rastësishme. Sipas raportit të UNODC, ekziston një lidhje e qartë midis mbizotërimit të shtetit të së drejtës dhe niveleve të dhunës vrastare. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe bërja e sistemeve të drejtësisë penale më të drejta dhe më efektive mund të parandalojë dhunën duke reduktuar përsëritjen e rasteve, duke shërbyer si pengesë ndaj sjelljeve të dhunshme dhe duke promovuar besimin tek autoritetet publike dhe vlerat që rrisin kohezionin social.

Dobësimi i institucioneve ligjzbatuese, mungesa e mbështetjes financiare ndaj këtyre institucioneve dhe mospatja e një strategjie të qartë për të përmirësuar gjendjen nga  ana  e qeverisë, shënojnë rritje të kriminalitetit pasi në një shoqëri ku krimi dhe korrupsioni ecin krahë për krahë, ligjet dhe strategjitë nuk kanë asnjë efekt përkundrazi ato krijojnë ndjenjën e pasigurisë dhe të frikës e cila është e justifikuar duke krijuar një plagë sociale akoma më të madhe, emigrimin masiv./ Armand Kullau -Zoom.al