zoom

Aktualitet

Alizoti ashpërson gjuhën ndaj Ramës: Do merrem me të se njerëzit e tij kanë varur njerëzit e mi

Alizoti ashpërson gjuhën ndaj Ramës: Do merrem me të se njerëzit e tij kanë varur njerëzit e mi

Përplasja mes drejtuesit politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Tomor Alizoti, dhe kryeministrit Edi Rama ka marrë një tjetër ton të ashpër këtë të martë, me deklarata të forta nga ana e Alizotit në studion e emisionit Top Story.

Duke komentuar deklaratat e Ramës në mitingun përmbyllës të fushatës në Elbasan, ku ky i fundit i tha se “ka gjetur njerëzit dhe vendin e gabuar për t’u marrë”, Alizoti u shpreh se kjo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë politik. “Më kujton Kinostudion e dikurshme. Një armatë e madhe që propagandon. Ai është i lidhur me bandat dhe duhet ngrënë politikisht. Por ai është një njeri që nuk hahet lehtë,” deklaroi Alizoti.

Demokrati theksoi se përplasja me Ramën nuk është thjesht politike, por ka edhe një dimension personal dhe historik. “Unë jam biri i një njeriu që është varur nga regjimi komunist, nga partia e babait të Edi Ramës. Nëse në Gjermani nipi i Hitlerit do t’u drejtohej të mbijetuarve të Holokaustit, do ishte skandal. Kjo ndodh sot në Shqipëri,” tha Alizoti.

Ai shtoi se do të përballet drejtpërdrejt me kryeministrin: “Unë nuk kam frikë. Do merrem me Ramën personalisht, politikisht, për çdo gjë që përfaqëson ai dhe trashëgimia e tij.”

Deklaratat vijnë pas ironive të Ramës gjatë fjalimit në Elbasan, ku e quajti Alizotin “Ludovik” dhe e akuzoi se po ndjek një strategji të gabuar politike. “Ke gjetur vendin më të gabuar, njerëzit më të gabuar, forcën më të gabuar për t’u ngatërruar, Tomor,” u shpreh Rama, duke shtuar se “tamaja e madhe do ta lërë pa gjë”.

Postime të lidhura