Aplikacion
Kina është alarmuar nga shpërthimi i virusit “Chikungunya”, që transmetohet nga mushkonjat.
Në provincën jugore të Guangdong janë regjistruar mbi 7,000 raste deri më tani.
Qyteti Foshan rezulton të jetë më i godituri, ku autoritetet shëndetësore kanë vendosur masa të rrepta për trajtimin dhe izolimin e pacientëve.
Infeksionet nuk janë të përqendruara vetëm në Foshan, pasi të paktën 12 qytete të tjera të provincës kanë raportuar raste të ngjashme. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar rreth 3,000 raste të reja, duke shtuar shqetësimin për përhapjen e virusit.
Edhe pse shumica e rasteve janë të lehta, autoritetet kineze u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos për grupet më të rrezikuara si të porsalindurit, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Pas shpërthimit, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar udhëtarët që gjenden në Kinë ose planifikojnë të vizitojnë vendin, duke i këshilluar të ndjekin masat parandaluese kundër pickimit të mushkonjave.
“Chikungunya’ është një virus që transmetohet nga dy lloje mushkonjash, “Aedes aegypti” dhe “Aedes albopictus”. Simptomat shfaqen zakonisht 3 deri në 7 ditë pas pickimit dhe përfshijnë ethe, dhimbje të forta të kyçeve, skuqje të lëkurës, dhimbje koke dhe muskujsh./ Zoom.al