Aplikacion
Një letër zyrtare e kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, drejtuar Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ka vënë në lëvizje institucionet e larta të Bashkimit Europian lidhur me situatën politike në Shqipëri. Letra, e datës 7 maj 2026, pason një ankesë zyrtare të deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila ka denoncuar përjashtimin e qëllimshëm të opozitës nga procesi i integrimit.
Në letrën e tij, McAllister shpreh shqetësimin se sistemi parlamentar shqiptar po vuan nga mangësi serioze. Sipas tij, bazuar në raportimet e Tabakut, ekziston një përjashtim i gjerë i opozitës, shoqërisë civile dhe publikut nga rrjedhat qendrore të informacionit që lidhen me anëtarësimin e vendit në BE.
Pikat kryesore të shqetësimit përfshijnë mungesën e transparencës, shpërfilljen e detyrimeve apo cënimin e kontrollit demokratik, pasi qeveria nuk ndan propozimet legjislative në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse me Parlamentin, qeveria nuk po përmbush detyrimin për të informuar rregullisht Kuvendin mbi progresin e negociatave dhe përdorimin e fondeve të BE-së, ndërsa ky izolim ka çuar në një debat të kufizuar publik dhe në asgjësimin e rolit të Parlamentit si institucion i mbikëqyrjes kushtetuese.
McAllister nuk mjaftohet me konstatimet, por i kërkon Komisioneres Marta Kos sqarime specifike mbi dy çështje jetike, vlerësimi i bashkëpunimit dh egarancitë e opozitës.
“Cili është vlerësimi i Komisionit Europian për bashkëpunimin aktual mes qeverisë dhe opozitës parlamentare në Shqipëri? Si mund të garantojë Komisioni Europian që opozita shqiptare të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj themelore dhe të shërbejë si një institucion kontrolli?” – janë pyetjet e McAllister.
Zyrtari i lartë i Parlamentit Europian nënvizon se integrimi nuk mund të jetë një proces i drejtuar vetëm nga ekzekutivi, pasi kjo vë në pikëpyetje mekanizmat bazë demokratikë.
Në mbyllje të letrës, McAllister thekson se si një vend udhëheqës në proces, Shqipëria duhet të ndjekë logjikën e meritës dhe integritetit. Çdo devijim nga ky standard, sipas tij, rrezikon të dëmtojë dhe të minojë besueshmërinë e vetë Bashkimit Europian në rrugën e tij drejt zgjerimit.
Kjo lëvizje e McAllister vjen në një moment kritik, duke i kujtuar qeverisë shqiptare se bileta për në Bruksel nuk mund të pritet duke anashkaluar kontrollin demokratik dhe zërin e opozitës në Kuvend. /Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit