zoom

Aktualitet

Alarm në WhatsApp- “Mashtrimi i balerinës” prek edhe Shqipërinë, si vidhen llogaritë me një link

Alarm në WhatsApp- “Mashtrimi i balerinës” prek edhe Shqipërinë, si vidhen llogaritë me një link

Një skemë e re mashtrimi po qarkullon prej disa ditësh në aplikacionin WhatsApp dhe ka prekur edhe përdorues në Shqipëri. Mesazhi, i njohur si “mashtrimi i balerinës”, u kërkon qytetarëve të klikojnë një link për të votuar në një konkurs vallëzimi për fëmijë, duke përdorur zakonisht një tekst të tillë si: “Përshëndetje! A mund të ndani pak kohë për të votuar Sarën? Ajo është vajza e shoqes sime dhe fituesi merr një vit mësime vallëzimi pa pagesë.”

Në pamje të parë, mesazhi duket i padëmshëm dhe shpesh dërgohet nga një kontakt i njohur, çka e bën edhe më të rrezikshëm për përdoruesit.

Sapo klikohet linku, përdoruesi ridrejtohet në një faqe që imiton një platformë votimi, por në realitet shërben për vjedhjen e të dhënave dhe komprometimin e llogarisë WhatsApp. Me një veprim të vetëm, autorët e mashtrimit arrijnë të marrin akses në profilin e viktimës, të shohin kontaktet dhe bisedat, si dhe të përdorin llogarinë për të dërguar mesazhe të tjera mashtruese.

Nga profili i infektuar më pas nisin të shpërndahen linke të reja drejt kontakteve të tjera, shpesh të maskuara si lojëra online apo oferta të rreme, të cilat mund të çojnë edhe në akses të aplikacioneve bankare apo financiare.

Për shkak se mesazhet dërgohen nga numra realë dhe kontakte të njohura, mashtrimi përhapet me shpejtësi në formë zinxhiri, duke ulur ndjeshëm vigjilencën e qytetarëve.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Itali, veçanërisht në provincën e Reggio Emilia, ku dhjetëra persona kanë rënë pre e skemës, përfshirë edhe dy kryetarë bashkish në zonën Val d’Enza. Kryetari i bashkisë San Polo d’Enza, Franco Palù, ka depozituar kallëzim penal pranë karabinierëve.

Ekspertët e sigurisë kibernetike u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të mos klikojnë linke të dyshimta edhe kur vijnë nga kontakte të njohura, të verifikojnë gjithmonë përmbajtjen e mesazheve, të aktivizojnë verifikimin me dy hapa në WhatsApp dhe të kontrollojnë rregullisht pajisjet ku është e hapur llogaria e tyre.

Postime të lidhura