zoom

Lajme

Akuzat e Metës/ Ambasadori i Britanisë mbështetje të fortë SPAK: T’i jepet fund pandëshkueshmërisë!

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, me anë të një reagimi të pasdites së sotme, ka mbështetur hapur institucionin e SPAK.

King-Smith shprehet se në Shqipëri duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, në interes të qytetarëve.

Reagimi vjen menjëherë pas deklaratave dhe akuzave të forta të kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani, duke lëshuar deri ofendime dhe kërcënime ndaj tij. Më herët kishin reaguar edhe Ambasada e SHBA-ve dhe KLP, duke mbështetur punën e Prokurorisë së Posaçme.

Prej tre ditësh ish-presidenti ka nisur një seri sulmesh ndaj Dumanit, duke e etiketuar me fjalët “tarrallak”, “legen”, “palaço” apo “injorant”.

Reagimi i ambasadës britanike:

“Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar”. /ZOOM.AL/