zoom

Aktualitet

“Akt i neveritshëm”- Dhuna ndaj protestuesit në Zvërnec dhe ndërhyrja e Greqisë, Rama: Nuk u shërben dy vendeve

“Akt i neveritshëm”- Dhuna ndaj protestuesit në Zvërnec dhe ndërhyrja e Greqisë, Rama: Nuk u shërben dy vendeve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara për projektin turistik në Zvërnec, duke deklaruar se e kupton revoltin e qytetarëve pas pamjeve ku një protestues u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private.

Rama e cilësoi si “akt të neveritshëm” mënyrën se si u trajtua protestuesi, duke theksuar se po të ishte në vendin e qytetarëve do të kishte reaguar njësoj kundër qeverisë dhe kryeministrit.

“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit. Do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sytë e Policisë së Shtetit, të merrnin zvarrë një njeri që po protestonte”, tha Rama.

Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se ngjarja nuk duhet të përdoret për të deformuar të vërtetën rreth investimit në Zvërnec. Sipas tij, gjatë ditëve të fundit janë përhapur teori dhe pretendime të pavërteta, që nga akuzat për shitje të territorit deri te pretendimet për interesa të huaja në zonë.

Rama tha se nuk e ka tradhtuar kurrë Shqipërinë dhe vuri në pikëpyetje mbështetjen që, sipas tij, disa media greke i kanë dhënë protestës kundër projektit.

“Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Gazetat greke janë mbushur sot me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, u gjet shitësi i atdheut dhe ai është kryeministri juaj?”, deklaroi ai.

Duke mbrojtur projektin, Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi ekonomik dhe turistik, ku investitorët ndërkombëtarë kërkojnë të investojnë në vend.

“Shqipëria nuk është më vendi ku nuk afrohet asnjë investitor. Është Shqipëria e 12 milionë turistëve dhe është koha të hyjë në elitën e turizmit global me investime që sjellin konsumatorë me fuqi të lartë blerëse”, tha ai.

Sipas kryeministrit, projekti në Zvërnec përfaqëson një investim prej rreth 4 miliardë eurosh dhe realizohet nga partnerë strategjikë që, sipas tij, kanë blerë pronat dhe tokat përmes procedurave të monitoruara nga institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kundër pastrimit të parave.

Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se investimi lidhet me interesa izraelite apo me skenarë të tjerë të përfolur në debatet publike, duke theksuar se investitorët vijnë nga Katari dhe se financimet janë kryer në përputhje me rregullat ligjore dhe bankare.

Kryeministri komentoi edhe reagimin e autoriteteve greke pas incidentit ndaj protestuesit, i cili ka edhe shtetësi greke. Rama tha se ishte surprizuar nga deklaratat zyrtare të Athinës dhe nga pretendimet se në zonë ekziston një popullsi homogjene greke.

“Për herë të parë dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke. Ndoshta nuk e kam ditur. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Ishte një akt dhune nga një roje private dhe jo një akt dhune shtetërore”, tha ai.

Sipas Ramës, fakti që autoritetet greke vendosën theksin te etnia e protestuesit nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Që të ngrihet një shtet në këmbë dhe të nënvizojë etninë e protestuesit, kjo është diçka që sipas meje nuk i shërben marrëdhënieve tona, të cilat sot janë në ditët e tyre më të mira”, u shpreh kryeministri.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar debat të fortë publik, protesta dhe reagime të shumta pas incidentit ku një protestues u dhunua dhe u tërhoq me forcë nga persona të sigurisë private.

Postime të lidhura