zoom

Bota

Aksidenti tragjik me 260 viktima i qëllimshëm? Piloti fiku motorët pak pas ngritjes

Aksidenti tragjik me 260 viktima i qëllimshëm? Piloti fiku motorët pak pas ngritjes

Një bisedë e regjistruar mes dy pilotëve të një avioni Boeing 787 të Air India, që u rrëzua muajin e kaluar në qytetin Ahmedabad të Indisë, ka hedhur dritë mbi një veprim fatal që mund të ketë shkaktuar aksidentin. Sipas një raportimi të gazetës Wall Street Journal, që citon burime amerikane të njohura me hetimet fillestare, kapiteni me përvojë i avionit dyshohet se ndërpreu furnizimin me karburant të të dy motorëve, vetëm sekonda pasi avioni ishte ngritur nga pista.

Ngjarja tragjike ndodhi më 12 qershor, kur avioni, që kishte si destinacion Londrën, u rrëzua pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar 260 viktima, përfshirë pasagjerët dhe persona në tokë.

Sipas regjistrimeve audio të kabinës, bashkëpiloti, 32-vjeçari Clive Counder, i cili kishte 3.403 orë përvojë në fluturim, i kërkoi llogari kapitenit pse kishte kthyer çelësat që kontrollonin fuqinë e motorëve në pozicionin “ndërprerës” — një veprim që ndërpret furnizimin me karburant. Kapiteni, 56-vjeçari Sumit Sabawal, me mbi 15.600 orë fluturimi, thuhet se mohoi të kishte bërë këtë veprim.

Një raport paraprak i publikuar nga Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB) të shtunën tregon se, në momentin kur ndodhi ndërprerja e motorëve, avioni po udhëtonte me shpejtësi 333 km/h dhe sapo kishte ngritur rrotat nga pista. Çelësat e të dy motorëve u kthyen nga pozicioni “i ndezur” në “i ndërprerë” me një diferencë prej një sekonde.

Të dhënat e regjistruesit të fluturimit konfirmojnë se motorët u rifilluan pak para përplasjes, por në atë moment ishte shumë vonë për të shmangur tragjedinë. Avioni humbi shpejt lartësinë dhe u përplas me disa ndërtesa, duke u shkatërruar plotësisht.

Sipas gazetës britanike Daily Telegraph, eksperti indian i sigurisë ajrore, Mohani Ranganathan, ka pohuar se disa pilotë të Air India kishin sinjalizuar më herët për probleme psikologjike të kapitenit Sabawal. Ai dyshohet se kishte vuajtur nga depresioni në vitet e fundit, megjithëse kjo ende nuk është zyrtarisht e konfirmuar nga kompania apo autoritetet.

Hetimet për aksidentin vazhdojnë, ndërsa pritet që autoritetet indiane dhe ato ndërkombëtare të publikojnë një raport përfundimtar në muajt në vijim. Për momentin, raporti paraprak nuk përcakton përgjegjësinë, por nxjerr në pah një sërë pyetjesh shqetësuese mbi gjendjen psikologjike të ekuipazhit dhe kontrollin e brendshëm të kompanisë ajrore.

Postime të lidhura