Aplikacion
Bhoomi Chauhan, një studente 28-vjeçare e administrimit të biznesit, shpëtoi mrekullisht nga rrëzimi i avionit të Air India që ndodhi dje në Indi dhe që la pas 241 të vdekur. Ajo humbi fluturimin për vetëm disa minuta, për shkak të një vonese në rrugë, e cila i shpëtoi jetën.
Chauhan jeton në Bristol, Mbretëria e Bashkuar, dhe ishte kthyer në qytetin e saj të lindjes në Indi për pushime. Ajo kishte planifikuar të kthehej në Evropë me fluturimin AI171, me destinacion Londrën, por për shkak të trafikut të rënduar në rrugën për në aeroport, mbërriti pas orarit të nisjes së avionit.
Edhe pse ishte regjistruar dhe kishte vend të caktuar në aeroplan, stafi i linjës ajrore nuk e lejoi të hipte, duke e konsideruar si vonesë. Më pas ajo mori lajmin tragjik se aeroplani kishte pësuar aksident dhe ishte rrëzuar.
“U ndjeva e zemëruar dhe e tronditur, por tani ndihem mirënjohëse që jam gjallë”, tha Bhoomi, duke e quajtur shpëtimin e saj “një mrekulli”.
Avioni Boeing 787 Dreamliner u rrëzua pak momente pas ngritjes nga Aeroporti i Ahmedabadit, duke shkaktuar humbjen e 241 jetëve në bord dhe 12 anëtarëve të ekuipazhit, si dhe vdekjen e disa personave në tokë.
Vetëm një person është konfirmuar si i mbijetuar deri tani, ndërsa hetimet për shkakun e aksidentit vazhdojnë./ Zoom.al