zoom

Aktualitet

Aksident tragjik në Itali/ 3 të vdekur dhe 15 të plagosur

Aksident tragjik në Itali/ 3 të vdekur dhe 15 të plagosur

Një aksident i rëndë u regjistrua këtë të hënë në autostradën A1 të Italisë, në segmentin mes Arezzos dhe Firences.

Një kamion humbi kontrollin dhe u përplas me disa automjete që kishin ndaluar për shkak të trafikut.

Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë disa mjete, mes tyre një kamion tjetër, një autobus turistik, një makinë dhe një ambulancë.

Ambulanca, që po transportonte një pacient 75-vjeçar, u përplas më fort.

Të tre personat që ndodheshin brenda saj, pacienti dhe dy infermierët, humbën jetën në vendngjarje.

15 persona të tjerë u plagosën, mes tyre një në gjendje kritike, i shtruar në një spital në Firence.

Paolo Romaglioli, një avokat nga Arezzo, tha për mediat italiane se shpëtoi për mrekulli.

“Arrita të frenoj në kohë. Kamioni u përplas me një tjetër automjet të madh dhe ambulanca u shtyp plotësisht. Pas përplasjes shpërthyen flakët, por disa shoferë u hodhën menjëherë dhe arritën t’i shuajnë para se të përhapeshin”, u shpreh ai.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë./ Zoom.al

Postime të lidhura