Aplikacion
Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e kësaj të premteje në qendër të Beratit, ku një automjet ka përplasur një këmbësor teksa po kalonte rrugën.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip Volkswagen Golf, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, ka goditur një 60-vjeçar në momentin kur ai po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
I plagosuri është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime në kokë dhe fillimisht është futur në sallën e operacionit. Pas ndërhyrjes mjekësore, 60-vjeçari është dërguar në repartin e Urgjencës, ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e policisë rrugore, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Po ashtu, grupi hetimor po verifikon edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë zonës ku ndodhi përplasja.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, një 20-vjeçar, është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit