zoom

Lajme

Agron Shehaj përjashtohet 20 ditë nga Kuvendi: Përcolla zërin e banorëve të Rrjollit që protestojnë për pronat e tyre!

Agron Shehaj përjashtohet 20 ditë nga Kuvendi: Përcolla zërin e banorëve të Rrjollit që protestojnë për pronat e tyre!

Deputeti dhe kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është larguar nga seanca plenare pasi Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e tij me 20 ditë, pas tensioneve të regjistruara në Kuvend gjatë seancës së së hënës.

Në një prononcim për gazetarët, Shehaj deklaroi se gjatë fjalës së tij nuk ka sharë apo ofenduar askënd, por vetëm ka ngritur shqetësimet e banorëve të Rrjollit, të cilët sipas tij prej kohësh po kërkojnë të drejtat mbi pronat që pretendojnë se po u merren për ndërtimin e një resorti turistik në zonë.

Ai theksoi se detyra e një deputeti është të çojë në Kuvend zërin e qytetarëve dhe shtoi se në Rrjoll banorët po protestojnë pasi pretendojnë se rreth 150 hektarë tokë u janë marrë padrejtësisht.

“Unë të hënën bëra atë që duhet të bënte çdo deputet, të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë zërin e qytetarëve. Ndërkohë në Rrjol qytetarët po protestojnë se iu është rrëmbyer prona, 150 hektarë nga ish drejtori i Hipotekës. Policia bën sehir, dhe policia private, banditë të veshur me kapuç e shkopa gome, rrahin protestuesin që mbrojnë pronën e tyre. Për këtë çështje fola, nuk shava e shtyva apo ofendova njeri. U tregova edhe pamjet se mesa duket nuk i kishin parë, ka të moshuar që janë dhunuar deri aty sa iu kanë thyer këmbën. Një 19 vjeçar është goditur me grushta. Parlamenti është kthyer në mbrojtje të të korruptuarve. Për pronat do të protestojmë dhe sot, në orën 6″, tha ai.

Tensionet në Kuvend u shënuan gjatë seancës plenare të së hënës, kur Shehaj u përplas me deputetët socialistë lidhur me protestat e banorëve të fshatit Rrjoll kundër ndërtimit të një resorti turistik nga kompania “Genner 2”.

Pas përfundimit të fjalës së tij në foltore, deputeti nuk u largua menjëherë nga vendi, ndërsa më pas iu afrua bankave të deputetëve socialistë duke u treguar një foto të një 19-vjeçari që, sipas tij, ishte dhunuar nga policia gjatë protestave në Rrjoll.

Gjatë këtij momenti ai pati një përplasje verbale me deputetin Taulant Balla. Më pas, nënkryetarja e Kuvendit i komunikoi vendimin për përjashtimin nga seanca plenare.

Postime të lidhura