zoom

Aktualitet

A po i ndihmon qeveria Klodian Zoton e Mirel Mërtirin të marrin azil?

SPAK sekuestroi sot edhe inceneratorin e Tiranës dhe ngarkoi sërish me akuza penale bosët e një prej aferave më të mëdha korruptive, Klodian Zoton e Mirel Mërtirin.

Ata dyshohet se i kanë vjedhur shtetit përmes faturave fiktiva 4 milionë euro vetëm me koncesionin e Tiranës e miliona të tjera me Elbasanin e Ferin.

Por edhe pse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 26 janarit të vitit 2022 ata vijojnë të jetojnë të lirë.

Stela Gugallja, bashkëpunëtore e tyre dhe bashkëjetuese e Mirel Mërtirit gjendet në Vjenë dhe ka kërkuar azil politik.

Por edhe Zoto e Mërtiri, siç thonë burime të besuara policore për Zoom.al, janë në Austri.

Pavarësisht se vendndodhja e tyre është lokalizuar, autoritetet shqiptare mësohet se nuk kanë dërguar ende dokumentacionin e nevojshëm për kapjen e tyre nga autoritetet austriake dhe nuk dërgojnë as përfaqësues të policisë që të bashkëpunojnë në arrestimin e tyre.

Ky fakt ngre dyshime se mosvënia e tyre para drejtësisë është e qëllimshme. Edhe opozita politike ka hedhur akuza se qeveria nuk ka interes t’i arrestojë, pasi një veprim i tillë mund t’i shndërronte ata në bashkëpunëtorë të drejtësisë, çka sipas saj, do të pasohej me arrestimin e shumë zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë aferë.

Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, siç rezulton nga hetimet e SPAK, kanë vjedhur gjithë Shqipërinë me skemën e tyre për inceneratorët, e megjithatë atyre nuk po u hyn gjemb në këmbë.

Lënia e tyre në liri, akuzon opozita, është vullnet i qeverisë Rama, me qëllim që ata të mos flasin.

Në këtë mënyrë dyshohet se atyre po u  jepet kohë dhe mundësi që të mund të sigurojnë të drejtën për azil.

Por pavarësisht se ata mund të përfitojnë azilin, të ndihmuar nga qeveria siç lë të kuptohet opozita, gjasat që ata t’i shpëtojnë dënimit me burg, si ideatorë dhe zbatues të një prej skemave më të mëdha korruptive që ka njohur Shqipëria, janë të pakta.

SPAK duhet të tregojë se do t’i shkojë deri në fund kësaj afere, jo vetëm duke ngritur akuza penale apo duke sekuestruar inceneratorët, por edhe duke urdhëruar ndalimin e pagesave për kompanitë e tyre dhe t’i sjellë pronarët e tyre përpara drejtësisë me çdo kusht. /Zoom.al