zoom

Lajme

A do ta merrni mandatin e Berishës nëse dënohet?/ Përgjigjet Alimehmeti

A do ta merrni mandatin e Berishës nëse dënohet?/ Përgjigjet Alimehmeti

Ilir Alimehmeti, kandidati më i votuar i Partisë Demokratike në listën e hapur të Tiranës me mbi 18 mijë vota, deklaroi se do të respektojë ligjin nëse kryetari i PD, Sali Berisha, dënohet nga Gjykata e Posaçme.

Në emisionin “LOG.” në News24, i ftuar nga gazetari Endri Xhafo, Alimehmeti theksoi qartësisht se ligji duhet të zbatohet pa përjashtim, duke konfirmuar se do të marrë mandatin e deputetit të Berishës.

“Ligji është ligj dhe zbatohet. Na pëlqen apo jo ne,” tha ai, duke komentuar çështjen e dosjes “Partizani”, për të cilën Berisha është tashmë nën gjykim në GJKKO.

Në debat me analistët dhe drejtuesin e emisionit, Alimehmeti iu përgjigj edhe pyetjes nëse do të marrë mandatin e Berishës në rast dënimi të këtij të fundit. Ai nuk dha një përgjigje direkte, por theksoi se angazhimi politik nuk kufizohet vetëm në Parlament:

“A ka metoda të tjera për të marrë pjesë në politikë përveç Parlamentit? Unë jam kryetar i këshilltarëve të PD në Bashki, që është një post politik.”

Duke iu referuar rasteve të tjera, Alimehmeti përmendi edhe situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin tha se ka munguar në detyrë për më shumë se tre muaj – një kriter që, sipas ligjit, parashikon shkarkimin.

“Këshilli Bashkiak e ka bërë propozimin? Jo. Ne e kemi kërkuar. Këshilli Bashkiak nuk e bën propozimin për shkarkimin,” tha ai, duke ngritur dyshime për standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit.

Në fund, Alimehmeti përsëriti qëndrimin se respektimi i ligjit është parimi mbi të cilin duhet të ndërtohet funksionimi i institucioneve dhe aktorëve politikë, pavarësisht emrave apo pozicionit që mbajnë.

Postime të lidhura