zoom

Aktualitet

Aksidenti fatal në Tiranë, dëshmitarët: Te njëra makinë u gjet armë

Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, 2 persona humbën jetën.

Aksidenti ndodhi në një kryqëzim dhe paraprakisht dyshohet se një prej mjeteve ka hyrë me semafor të kuq, ndërkohë që përplasja ka qenë tepër e fortë, aq sa mjetet janë shkatërruar plotësisht.

Dëshmitarë që ishin në vendin e ngjarjes thonë se brenda një prej makinave që u përfshi në aksident është gjetur një armë zjarri tip AK47.

Kjo pistë nuk konfirmohet ende nga policia e Tiranës, që dha vetëm një informacion paraprak për këtë ngjarje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Me datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, janë përfshirë në një aksident mjeti me drejtues shtetasin E. D., 30 vjeç dhe mjeti me drejtues shtetasin L. C.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, shtetasi L. C., dhe njëri nga pasagjerët, shtetasi A. B., 69 vjeç.