zoom

Aktualitet

Si ndodhi vrasja/ Dinamika e plotë, 21-vjeçari qëlloi 8 herë

Zbardhet dinamika e plotë e vrasjes së nënkomisarit të policisë së Lezhës, Saimir Hoxha. Mësohet se Aldi Rama ka pasur me vete dy krehëra me fishekë pistolete në momentin e ngjarjes.

Njërin prej tyre e ka hedhur në vendin e ngjarjes, pasi qëlloi në drejtim të Hoxhës, ndërsa tjetri është gjetur aty ku 21-vjeçari qëlloi ndaj vetes.

Pasi efektivët kanë nxjerrë nga makina dy djemtë që shoqëronin Ramën, i kanë kërkuar edhe atij që t’i nënshtrohet kontrollit. Pas thirrjes së dytë ai u është përgjigjur: Nuk më kontrolloni dot mua

Rama ka qëlluar drejt efektivit fillimisht nga sedilja e pasme dhe plumbi e ka kapur atë në qafë. Më pas, ai ka dalë nga makina për t’u ulur në vendin e shoferit dhe aty ka qëlluar sërish drejt Hoxhës.

Kësaj radhe plumbi i ka kapur zemrën nënkomisarit, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës.

E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike janë gjetur në makinën e efektivëve të policisë.