zoom

Lajme

Protestuesit gjuajnë me vezë dhe mollë Bashkinë, Bardhi: Veliaj duhet të ishte në burg me të tjerët

Rriten tensionet në protestën qytetare për skandalin e dosjes “5D”, teksa policia ka rrethuar institucionin lokal.

Protestuesit sulmuan me vezë dhe mollë Bashkinë e Tiranës në mënyrë ironike ndaj drejtorëve të arrestuar, si dhe kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj. Në protestë u penguan edhe këshilltarët që të hynin brenda godinës.

Kurse kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në protestën para Bashkisë së Tiranës, u shpreh se kreu i bashksë, Erjon Veliaj, duhet të ishte në burg së bashku me vartësit e tij.

“Kjo është protestë e shoqërisë civile. Si deputet dhe përfaqësues i qytetarëve, e kemi për detyrë të jemi në mbështetje të tyre. Zyrtarë të afërt me Velijan kanë guxuar të vjedhin. Veliaj do të duhej të ishte me 5 vartësit e tij në qeli dhe jo në zyrën e bashkisë.

Ka shumë arsye për të protestuar. Ky nuk është një rast i shkëputur. Nëse hetoni, kjo është skemë e shtrirë në çdo bashki të vendit. Opozita, do të duhet t’i prijë qytetarëve për të bërë të mundur hetimet”, tha Bardhi. /ZOOM.AL/