zoom

Lajme

Berisha lajmëron protestë kundër Veliajt, kur do të mblidhen demokratët?

Lideri i opozitës Sali Berisha u bëri apel demokratëve që të premten në orën 11.00 të protestojnë para Bashkisë së Tiranës kundër Erion Veliajt.

Pas arrestimeve të disa drejtorëve në këtë bashki për korrupsion, ish-kryeministri Berisha deklaroi se Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen.

“Erion Veliaj jep dorëheqjen urgjentisht, mos prit qytetarët të premten në zyrë.
Hapja zyrat qytetarëve. Bashkia është shtëpia e qytetarëve dhe jo e hajdutëve”, tha ish-kryeministri.

Sipas Berishës, hetimet për dosjen “5D” treguan një nivel korrupsioni që nuk ishte hasur më parë në institucionet shtetërore

“Miq, Shqipëria dhe çdo vend ka njohur hajdutë, por hajdutë që të vjedhin fondet 100 përqind si Erion Veliaj, toka nuk ka njohur ndonjëherë, përveç atyre që thyejnë bankat.Të dashur miq, qytetarë dhe qytetare, pyesni pak, ku janë 130 milionë euro, para të taksapaguesve tanë për djegësin e Tiranës? Askush nuk e di, por djegësi nuk ekziston. Ato pra u vodhën 100 përqind. Ku janë paratë e vjedhura në dhjetëra milionë euro, që shkuan tek 5 bastardë me në krye kryehajdutin Erion Veliaj?”, tha Berisha.

Protesta para Bashkise së Tiranës u lajmërua fillimisht nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe më pas u mbështet nga Partia Demokratike.

Të gjitha figurat kryesore të opozitës kanë publikuar në rrjetet sociale thirrjen për protestë para Bashkisë së Tiranës. Slogani i protestës është “Mjaft” duke përdorur të njëjtin emër që ka pasur lëvizja e krijuar nga Erion Veliaj 20 vite më parë në fillimet e karrierës politike.