Aplikacion
Pak orë pas njoftimit nga vetë Jared Kushner, se do të ndërtojë një rezidencë luksoze në Sazan, “New York Times” shkruan se ai dhe Richard Grenell kanë punuar ngushtë me miliarderin shqiptar Shefqet Kastrati dhe djalin e tij, Musa Kastrati.
Ka qenë i biri, shkruan NYT, që ka treguar se roli i tyre në projektin e Kushner (me shumë mundësi) do të jetë ndërtimi i kompleksit, ndonëse ende nuk është përcaktuar.
Kastrati ka vizituar më herët Mar-a-Lago, rezidencën e ish-presidentit Trump, ku ka takuar vetë atë dhe Richard Grenell. Ai thotë se atëherë nuk është diskutuar projekti, ndonëse Kushner thotë se projekti është diskutuar që kur ishte pjesë e Shtëpisë së Bardhë.
“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë kostot dhe si të operojmë atje” është shprehur Kushner për familjen Kastrati.
Media amerikane shkruan se Kastrati ka blerë në 2022-shin një shtëpi 7.5 mln dollarshe pranë zonës ku banon Kushner dhe bashkëshortja e tij Trump.
Lajmi i projektit u publikua fillimisht nga Zoom.al dhe më pas e konfirmoi vetë qeveria, me anë të ministrisë së Turizmit. Sipas tyre, projekti është ende në fazë aplikimi.
Kushner e komunikoi projektin e tij në Shqipëri me shumë optimizëm. NYT i vë theksin fakit që investimi i dhëndrit të ish-presidentit Trump po ndodh kur ky i fundit po synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Gazetarët e “New York Times” veçojnë dhe takimin e Richard Grenell me Irfan Hysenbelliun, një tjetër ndërtues në Shqipëri dhe pronar mediash.
“Unë e mbështes vizionin e Ramës për Shqipërinë dhe ftoj të gjithë investitorët amerikanë të investojnë këtu”, do të thoshte atëkohë Grenell, i cili dhe në rrjetet e tij sociale reklamon shpesh Shqipërinë.
Grenell i thur shpesh lavde Ramës dhe Shqipërisë, shkruan NYT.
Çifti Kushner-Trump vizituan këtë verë Vlorën dhe Sarandën, në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se ata ishin tërhequr nga bukuria e Shqipërisë./Zoom.al