Aplikacion
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Mëngël në aksin Elbasan–Librazhd, ku një 7-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një automjet ndërsa po shkonte drejt shkollës.
Pas aksidentit, banorë të zonës kanë rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes, duke pretenduar se mjeti që përplasi të miturin po qarkullonte me shpejtësi të lartë.
Sipas një dëshmitareje që ndodhej pranë vendit të aksidentit, ndihma e parë për fëmijën është dhënë nga qytetarët e zonës, pasi ambulanca nuk mbërriti menjëherë.
“Dolën burrat nga lokali dhe e nxorën fëmijën nga poshtë makinës. Ambulanca nuk erdhi në kohë, ndaj e nisën me një makinë tjetër drejt spitalit. Ambulanca mbërriti rreth 15 minuta më vonë”, tregoi ajo.
Dëshmitarja shtoi gjithashtu se automjeti po lëvizte “me shpejtësi maksimale” në momentin e aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Petri Bozo, është shoqëruar nga policia, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e plota të tragjedisë.