zoom

In Zoom

7 pyetjet që Balluku duhet të bënte sot në Aeroportin e Rinasit

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri një ndalesë këtë të premte në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Balluku pa nga afër ecurinë e punës në aeroport, ku foli me superlativa rreth investimeve e ndryshimeve të njëpasnjëshme dhe përballimit me sukses të fluksit të turistëve.

Por përtej lëvdatave dhe përgëzimit të punës së bërë, ndonëse faktet flasin ndryshe, nga kompania koncesionare “Kastrati Group”, a arriti Belinda Balluku, që ishte ministrja përgjegjëse për aeroportin e Rinasit që në vitin 2021, kur ky subjekt i kaloi me koncesion grupit “Kastrati”, të kërkonte llogari për realizimin e kontratës kocesionare?

A e pyeti Balluku Kastratin nëse janë kryer investimet e premtuara me vlerë 99.3 milionë euro kur iu zgjat afati i koncesionit me 20 vjet?

A e pyeti Balluku Kastratin nëse e ka përmirësuar shërbimin për të menaxhuar numrin e lartë të udhëtarëve që kalojnë përmes Rinasit dhe për të shmangur pritjet me 3 orë prej mungesës së kapaciteteve infrastrukturore?

A e pyeti Balluku Kastratin se përse nuk bëri terminal të ri sic ishte kontrata, por ndau në dysh të vjetrin?

A e pyeti Balluku Kastratin se përse vetëm për një zgjatim piste dhe rrethim aeroporti me tela, fatura e investimit shkon në 100 milionë euro kur sipas ekspertëve nuk duhen më shumë se 30 milionë?

A i kërkoi Balluku Kastrati të rishikonin kontratën, në mënyrë që edhe shteti të përfitojë nga të ardhurat që po vijnë nga fluksi i turistëve dhe jo vetëm privati?

Ekspertët gjykojnë se qeveria do të duhet të rishikojë kushtet e kontratës, së pari duke ulur tarifën 10 euro për parasagjer që merr koncesionari. Vetëm nga pasagjerët përllogaritet se ai ka fituar mes 30 milionë dhe 50 milionë euro në secilin vit, që nga marrja e kontratës.
Kjo do të thotë se fatura 100 milionë euro që u përdor si pretekst për ta zgjatur me 20 vjet kontratën e koncesionit është shlyer për 3 vitet e para. 17 vjet të tjera, çdo fitim e merr koncesionari.

Në kushtet kur edhe gjatë këtij viti pritet një fluks i madh pasagjerësh, nevoja për rishikimin e kontratës, sipas ekspertëve, bëhet edhe më e madhe. Kjo pasi, në kushtet aktuale, i vetmi që përfiton nga suksesi i turizmit dhe rritjes eksponenciale të numrave të pasagjerëve duket se është “Kastrati Group”. Sipas parashikimeve për fluksin e udhëtarëve, fitimet e grupit “Kastrati” do të jenë mbi 50 milionë euro edhe këtë vit.

Balluku duhet ta kishte pyetur po ashtu koncesionarin nëse është jashtë afatit për realizimim e investimeve.

Por kur pyetje mungojnë, ministrja duhet të evitonte së paku që të shkonte në aeroport për të mbuluar me propagandë një koncesion me shumë pikëpyetje./ Zoom.al