Aplikacion
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në bregdetin e Otrantos, Itali, ku një burrë 54-vjeçar ka ndërruar jetë pasi arriti të nxjerrë të gjallë nga deti dy fëmijët e tij binjakë.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, gjithçka ka ndodhur në orët e paradites, kur kushtet në det ishin të vështira për shkak të erërave të forta dhe rrymave të rrezikshme. Pavarësisht paralajmërimeve dhe situatës jo të favorshme, disa pushues, përfshirë fëmijët e mitur, ndodheshin në ujë.
Dy binjakët 8-vjeçarë janë tërhequr papritur nga rrymat dhe janë larguar nga zona e sigurt e bregut. Situata ka shkaktuar panik mes familjarëve dhe pushuesve të tjerë në plazh.
Babai i tyre reagoi menjëherë dhe u fut në det pa hezitim për t’i ndihmuar. Ai arriti deri te fëmijët dhe i solli të dy sërish në breg, duke u siguruar që të ishin të sigurt.
Megjithëse arriti të përmbushte me sukses detyrën më të rëndësishme si prind, fatkeqësisht historia nuk pati fund të lumtur. Pasi doli nga uji, 54-vjeçari u ndje papritur keq dhe u rrëzua në tokë.
Pushuesit dhe ekipet e emergjencës u përpoqën menjëherë t’i japin ndihmën e parë, por pa rezultat. Mjekët konstatuan më pas se ai kishte humbur jetën në vendngjarje. Dyshohet se sforcimi i madh fizik dhe një gjendje e mundshme shëndetësore kanë çuar në humbjen e jetës./ Zoom.al