zoom

Aktualitet

“Unë s’jam ti”- Rama i publikoi foton, protestuesi i përgjigjet: Nuk je viktima e halleve të mia, por autori i tyre

“Unë s’jam ti”- Rama i publikoi foton, protestuesi i përgjigjet: Nuk je viktima e halleve të mia, por autori i tyre

Protestuesi Erlis Sina ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili publikoi një foto të aktivistit ulur para godinës qeveritare dhe e paraqiti atë si një qytetar të përdorur nga politika, mediat dhe rrjetet sociale.

“Unë nuk jam ti”, iu është drejtuar Erlis Sina kreut të qeverisë, duke refuzuar paralelizmin që Rama bëri mes vetes dhe protestuesit.

“Nuk më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti. Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi. Ti je”, shkruan Sina.

Në reagimin e tij, ai akuzon drejtpërdrejt Ramën si përgjegjës për problemet që, sipas tij, kanë detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.

“Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt. Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre. Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri. Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre”, shprehet ai.

Ai gjithashtu kundërshton pretendimin e Kryeministrit se protestuesit manipulohen nga algoritmet, influencerët apo opozita, duke theksuar se qytetarët dalin në shesh për shkak të problemeve reale me të cilat përballen çdo ditë.

“Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë”, thekson protestuesi.

Në fund të reagimit, Erlis Sina i drejtohet sërish kryeministrit duke i kërkuar të mos i përdorë fotografinë për të justifikuar, sipas tij, dështimet e qeverisë.

“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Unë nuk jam ti. Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush. Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu”, përfundon reagimi i Sinës.

Përplasja vjen pasi Rama, në një status, publikoi fotografinë e protestuesit të ulur i vetëm në shkallët e Kryeministrisë dhe që, sipas tij, ishte lënë vetëm nga ata që e nxitën të dalë në shesh.

Në postimin e tij, Rama shkruante se protestuesit janë kthyer në “proletariatin e algoritmit”, të përdorur nga politika, influencerët dhe rrjetet sociale për interesa të të tjerëve. Kryeministri pretendonte se organizatorët dhe mbështetësit e protestës e kishin braktisur qytetarin pasi kishin përfituar vëmendje dhe kapital politik prej tij, ndërsa në fund i ftonte protestuesit të mos bëhen pjesë e asaj që ai e quajti “errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë”.

Postimi i plotë:

Pergjigje e detyruar per Edi Ramen!

UNË NUK JAM TI!

Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.

Unë nuk jam ti.

Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.

Ti je.

Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.

Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.

Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.
Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.

Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.

Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.

Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.
Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.
Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.

Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.

Sepse paguajnë faturat.
Sepse kërkojnë punë.
Sepse presin në spitale.
Sepse shohin fëmijët të largohen.
Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.

Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.
Po i përçmon.

Fotografia ime në murin tënd më bën pis.

Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.

Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.

Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.

Unë nuk jam ti.

Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.

Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.

Postime të lidhura