zoom

Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, dëshmia e rojes së sigurisë: S’isha mirë me shëndet, vuaj nga diabeti

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, dëshmia e rojes së sigurisë: S’isha mirë me shëndet, vuaj nga diabeti

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre të arrestuarit në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik më 6 tetor.

Deri në përfundim të hetimeve, autori i dyshuar Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj do të qëndrojnë në qeli. Seanca ndaj tyre u zhvillua me masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura.

Deklarimi i rojes së sigurisë:

Në dëshminë e tij para gjykatës, Banush Koxhaj ka deklaruar se nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore ditën e ngjarjes dhe se kishte njoftuar kancelaren për gjendjen e tij.

“Kam qenë i sëmurë. Para se të kalonin palët në skaner, kam lajmëruar kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Rreth një orë më pas ajo më dha leje për t’u larguar, por nuk u zëvendësova,” – ka thënë Koxhaj para trupit gjykues.

Detajet e ngjarjes:

Elvis Shkambi akuzohet se vrau me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore, ndërsa plagosi gjithashtu babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë kundërshtare në një proces gjyqësor për pronën.

30-vjeçari përballet me tre akuza të rënda:

  • Vrasje e funksionarëve publikë,
  • Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve në proces, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë,
  • Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.

Roli i Gjon Shkambit:

Prokuroria dyshon se Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar, kishte dijeni për planin e sulmit dhe ka pasur një rol nxitës në përplasjen e armatosur me palën kundërshtare. Ai ndodhet prej kohësh në konflikt me familjen Kurtaj për një pronë në Shkodër.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Postime të lidhura