Aplikacion
Diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit duke filluar nga e marta, pasi nesër do të nisë dërgimi i fletëve të votimit për votuesit jashtë vendit. Ky proces historik shënon një hap të rëndësishëm në përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike të Shqipërisë.
Në Parkun Olimpik, ku po përgatiten materialet zgjedhore, po punohet intensivisht për paketimin e zarfeve me fletë votimi. Deri më tani, janë përgatitur rreth 10 mijë sete zgjedhore, të cilat do të dërgohen nesër për votuesit e regjistruar në diasporë.
Procesi përfshin një zinxhir të organizuar, ku çdo votues do të marrë një zarf të personalizuar që përmban fletën e votimit të qarkut nga ku vjen, e cila është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar (Zarfi A). Ky zarf më pas vendoset në një zarf më të madh (Zarfi B), që mban të dhënat e koduara të zgjedhësit.
Pasi zarfi B është gati, ai dorëzohet tek kompania postare, e cila e fut në një zarf të verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës. Kompania postare më pas mbyll zarfin me kodet e adresës dhe i shpërndan ato në 85 shtete të botës.
Ky proces i votimit nga diaspora është një risi për Shqipërinë, pasi për herë të parë qytetarët jashtë vendit mund të votojnë përpara datës zyrtare të zgjedhjeve. Nga e marta e tutje, votuesit e diasporës mund të dërgojnë votën e tyre pa pritur 11 Majin. Ata që nuk janë regjistruar në KQZ ose janë refuzuar, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të ushtrojnë të drejtën e votës vetëm nëse vijnë të votojnë fizikisht në vend. /Zoom.al