Aplikacion
Një portal online publikoi një artikull shqetësues mbi sigurinë e numrave telefonikë celularë që përdor policia e shtetit. Artikulli i exit.al trajtonte një informacion, sipas të cilit Policia po i kalon nga “Vodafonë” në “One” numrat që kanë në përdorim afro 12 mijë efektivë të policisë. Ai e konsideronte këtë si lojë të rrezikshme, pasi ortaku kryesor i kompanisë One është “bullgari Spas Roussev, i cili dyshohet për lidhje me mafian bullgare, rrjete të tjera kriminale dhe i dyshuar kryesor për manipulimin e një ankandi në Mbretërinë e Bashkuar”.
“Edhe pse këto dyshime nuk janë të provuara, kalimi i telefonisë dhe komunikimeve të Policisë së Shtetit, përfshi aksesin në bazat e të dhënave kriminale tek One, duhet të ngrejë shqetësime serioze. Për më shumë se 14 vjet, Policia e Shtetit ka marrë një shërbim të sigurt, pa rrjedhje dhe probleme sigurie, por tashmë po zgjedh që të hyjë në një marrëdhënie të pasigurt, me një operator mbi të cilin ka hije dyshimi”, shkruhet në artikull.
Kur e lexon në këtë formë, shqetësimi duket i besueshëm. Por a qëndron ai vërtet? A është trajtuar në mënyrë profesionale apo është i njëanshëm?
Klodian Tomorri, një gazetar që merret me çështje të karakterit ekonomik, në një status që e pozicionon atë në anë të kundërt me Vodafone, tenton ta shuajë tërësisht dyshimin përsa i përket sigurisë. Sipas tij kjo është një betejë mirfilli ekonomike dhe s’ka të bëjë aspak me sigurinë.
“Tani nese shteti shqiptar ka licencuar nje kompani qe nuk garanton sigurine e te dhenave, nuk ka mbetur puna tek numri i Ardi Veliut dhe policeve. Po ministrat qe mund te kene numra One psh? Po prokuroret?” –shkruan ai.
Pyetjet që ngrihen të bëjnë të besosh se gjithçka lidhet me ofertat që bën njëra apo tjetra kompani.
E parë në një formë naive, gjithçka ngjan e tillë.
Por a mund të jetë një vendim i kësaj rëndësie vetëm ekonomik?
Ajo që nuk cekin dy shkrimet është pjesa politike të çështjes.
A mund të merret pa miratimin e pushtetit vendimi për t’i dhënë një paketë kaq të majme një kompanie si “One”, e cila që ka ndryshuar disa herë pronarë, që është përballur vazhdimisht me probleme financiare dhe që në treg zotëron më pak se gjysmën e klientëve të “Vodafone”?
Një burim brenda qeverisë pohoi për Zoom.al se një politikan i rëndësishëm brenda mazhorancës ka lobuar prej kohësh që numrat e afro 12 mijë efektivëve të Policisë së Shtetit t’i kalojnë kompanisë “One”. Lobimi është përforcuar me shitjen e “One” nga “T Mobile” tek shqiptaro-bullgarët e “Albania Telecom Invest AD”.
Sipas burimit të Zoom.al, interesat e lobimit nuk kanë të bëjnë as me çështje të sigurisë e as me qëndrime politike të qeverisë, por me interesa personale e familjare të lobuesit.
Kompanitë “Vodafone” dhe “One” nuk janë prononcuar për çështjen, sikundër as Policia e Shtetit.
Procedura e pajisjes së punonjësve të policisë me numra telefoni nuk zhvillohet si tender dhe nuk i nënshtrohet rregullave të prokurimit publik. Telefonat e punonjësve të policisë nuk i paguan policia nga buxheti i shtetit, por i paguajnë vetë punonjësit, ndonëse nuk janë ata që mund të zgjedhin.
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, palët do të duhet të publikonin ofertat.
Një tjetër burim i besueshëm sqaroi për Zoom.al se kompanitë luajnë me oferta dhe kundëroferta në raste të tilla. Sipas tij, “One” i ka ofruar një paketë të favorshme Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër, me të marrë informacionin nga rrugë konfidenciale, “Vodafone” ka bërë një kundër-ofertë më të ulët, por megjithatë ajo nuk është marrë në konsideratë, për arsye ende të pashpjegueshme. /Zoom.al