Aplikacion
Pas lajmit se kompania SHELL ka hequr dorë nga nxjerrja e naftës në Shpirag, erdhi reagimi i parë nga qeveria.
Në një njoftim të shkruar për mediat, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, rikujtoi që në Shpirag ka naftë… zbulim i bërë që në vitet e fundit të komunizmit.
Reagimi që kishte më shumë sulme ndaj gazetarëve se sa sqarime për çështjen dështoi të na tregonte mundësinë e shfrytëzimit të naftës që gjendet aty, atë që tregon raporti i SHELL.
SHELL, në bilancin 3-mujor 2024 ka fshirë nga regjistrat e saj 600 milionë dollarë kërkime shpenzimi, “kryesisht në Shqipëri” duke konfirmuar pra largimin.

Raportin e SHELL në gjuhë financiare, e ka përkthyer ekonomistja Irena Beqiraj e cila pohon se po SHELL do të tërhiqet nga ky projekt, pasi nuk pret përfitime te ardhshme, pra nuk pret të nxjerrë naftën e parashikuar aty.
“Kur një aset fshihet nga lista aseteve të kompanisë do të thotë që kompania pasi ka kryer testet përkatëse vlerësuese redukton vlerën e tij në zero, duke konfirmuar që nuk pret asnjë përfitim të ardhshëm edhe qe ky aset nuk ka asnjë vlerë të ardhshme për kompaninë. Thënë ndryshe aseti që fshihet nga bilanci i kompanisë ka humbur një herë e mirë të gjithë dobinë ose vlerën për kompaninë”, sqaron Beqiraj.
Nga ana tjetër, në njoftim MIE thotë se kontrata me SHELL vazhdon, duke tentuar kështu të hedhë poshtë tërheqjen e kompanisë.
“..del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.”
Kontrata e gjigandit të hidrokarbureve me shtetin Shqiptar ka në fokus kërkimin e naftës për një afat 1- vjeçar dhe de jure marrëveshja është ende aktive deri sa të mbarojë koha, por ajo nuk është më funksionale.
Ajo çfarë shqiptarëve iu shit si një Gral i Shenjtë që do të shpëtonte Shqipërinë nga të gjitha hallet rezultoi një gënjeshtër e shëmtuar e krerëve të qeverisë, që sipas demokratëve, Rama e rikthen sa herë është në krizë.
500 mln eurot në vit dhe Fondi Sovran i Ballukut e Ramës u kthyen në zhgjëndërr, ndërsa shqiptarët ende ëndërrojnë për një të vërtetë./Zoom.al