zoom

Aktualitet

Zhdukja e Ervis Martinajt, ministri Lamallari nuk di ç’të thotë

Zhdukja e Ervis Martinajt, ministri Lamallari nuk di ç’të thotë

Ditën kur mori detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, në shtator të vitit 2022, Muhamet Rrumbullaku u vu para një kërkese të vështirë të kryeministrit Edi Rama.

“Drejtori i ri i Policisë, që vjen sot, ka një detyrë të parë… Brenda 100 ditëve të para, publiku duhet të marrë një përgjigje. Ose është i gjallë (Ervis Martinaj) dhe duhet të prangoset, ose nuk është më dhe policia duhet të tregojë provat. Nuk ka rrugë të mesme, nuk ka po punojmë.”

Por në 2 vjet, deri në shtator të 2024 Rrumbullaku nuk pati asnjë rezultat. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn. Të paktën publikisht.

Sot Ministri i Brendshëm Besford Lamallari, teksa doli një konferencë mbi procesin e integrimit të vendit, u pyet nga gazetarët për zhdukjen e bosit të lojërave të fatit.

Ashtu si Rrumbullaku apo pasardhësit e tij në Ministrinë e Brendshme, Lamallari nuk mundi të thotë asgjë të vlefshme.

“Kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacionale. Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, tha Ministri.

Pak ditë më parë babai i Ervis Martinaj ka lëshuar akuza në drejtim të institucioneve të drejtësisë, duke thënë se ata nuk duan të hetojnë.

“Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit,”- u shpreh ai.

Ervis Martinaj, i shpallur në kërkim nga policia, u pa për herë të fundit në Durrës, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, mbrëmjen e 5 gushtit të vitit 2022. Ai ishte vënë në shënjestër të autoriteteve pas gjetjeve në hetimet për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”. Në fushatën elektorale të 2021 ai u përmend edhe nga kryeministri Rama në një prej mitingjeve të Partisë Socialiste. / Zoom.al

Postime të lidhura