Aplikacion
Loti i parë i autostradës Tiranë–Durrës, me një gjatësi prej rreth 6 kilometrash, pritet të hapet për qarkullim në fillim të muajit maj, sipas deklaratës së ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Gjatë një inspektimi në terren, ministri u shpreh se punimet në këtë segment të rëndësishëm të rrugës po shkojnë drejt përfundimit dhe se qytetarët do të mund ta përdorin atë brenda javës së parë të majit.
Karakaçi shpjegoi se pse u vonua hapja e këtij segmenti, që fillimisht ishte njoftuar nga Belinda Balluku kur ishte ministre për në dhjetor.
“Patjetër kemi patur operacion të vështirë për zbatimin e tij, sepse jemi përpjekur që të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve. Dëshira jonë ka qenë që ta përfundonim brenda dhjetorit këtë vepër. Dhe në fakt deri në vjeshtë punimet kishin ecur me ritme shumë të mira. Por më pas u hasëm me një dimër shumë të lagësht. Në kontratë jemi brenda kushteve të kontratës, sepse e kemi brenda muajit korrik dorëzimin e këtij aksi”, tha ministri Karakaçi.
Sipas tij, paralelisht do të vijojnë punimet edhe në pjesët e tjera të autostradës Tiranë–Durrës, si dhe në projektet infrastrukturore që lidhen me Bypassi i Tiranës dhe segmentin Kashar–Lekaj./ Zoom.al