Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar se do të garojë sërish për drejtimin e forcës politike në zgjedhjet e 23 majit, duke synuar një mandat të ri 4-vjeçar në krye të Partisë Demokratike.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh i vendosur për rikandidimin, duke lënë të kuptohet se kjo është një zgjedhje e natyrshme për të. Ai theksoi se kandidimi i tij nuk bie në kundërshtim me statutin e partisë, pavarësisht ekzistencës së një neni që parashikon largimin e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve.
Sipas tij, ky nen i referohet vetëm zgjedhjeve të rregullta dhe jo rasteve që ai i konsideron si “farsë elektorale”. Berisha argumentoi se në situata të tilla, përgjegjësia e drejtuesit nuk është dorëheqja, por përballja politike dhe vazhdimi i betejës.
“Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Në qoftë se ka një realitet absolut të padiskutueshëm është: zgjedhjet ishin farsë elektorale. Pra, sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër, është detyrë të luftojë diktaturën, duhet të luftojë.”
Ai shtoi gjithashtu se, ndonëse Partia Demokratike është duke shqyrtuar ndryshime në statut, dispozita që lidhet me dorëheqjen e kryetarit nuk pritet të ndryshohet.