Aplikacion
Në një ankesë drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të anulohet votimi me postë për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se ky proces të përsëritet.
“Ne po presim prej PZAP-së të vendosë që të anulojë votimin me postë dhe të kërkojë përsëritjen e procesit”, ka thënë Rama për KOHËN.
LVV-ja po pretendon për manipulime të votave me postë nga Lidhja Demokratike (LDK). Gjithashtu, partia fituese e zgjedhjeve pati kërkuar të rishikohen disa fletëvotime me postë që janë shpallur të pavlefshme – diçka për të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi kundër.
Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK-ja ka thënë se LVV-ja po kërkon përsëritjen e votimit pasi nuk po i ka numrat siç i donte.
“Partia në pushtet paska nisë ankesa për procesin zgjedhor, me qëllim të vazhgitjes së certifikimit. Arsyeja është e thjeshtë: S’po ka numra, ashtu siq donte. E, pra mendësia absolutiste e ‘500K zemrave’ nuk ja doli, e tash turren me kontestu procesin e zgjedhjeve. Është e dukshme që rritja e LDK-së është pengesa kryesore për ta. E po, rritja e LDK-së është vet puna e pandalshme e shumë aktivistëve e bashkatdhetarëve tanë që s’u ndalën asnjëherë”, ka shkruar ajo në Facebook.
KQZ-ja në njoftim të shtunën ka thënë se po pret që të shqyrtohen ankesat e LVV-së e më pas të shpallen rezultatet përfundimtare.
Në votimin me postë, LVV-ja doli e para me 31.963 vota apo 51.57 për qind. E dyta është LDK-ja me 18.933 vota apo 30.55 për qind. PDK-ja e treta ka 5878 vota apo 9.48 për qind, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë 2 mijë vota apo 3.23 për qind.
Sipas rezultateve nga numërimi i të gjitha votava, LVV-ja pritet t’i ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e koalicioni AAK-Nisma tetë./Koha.net